Prezantimi i projektit BlejShqip per vitin 2010
Ditën e premte, më 5 mars 2010, më mjediset e Sky Hotel (Sky Tower, zona e ish-Bllokut) në Tiranë prezantohet projekti Blej Shqip për vitin 2010.
Blej Shqip është një projekt që synon të nxisë konsumatorët shqiptarë të blejnë produkte dhe shërbime shqiptare. Ai gjithashtu ka karakter promovues për produktet shqiptare dhe kërkon të shërbejë si një urë lidhëse midis sipërmarrjeve shqiptare dhe konsumatorëve, për përfitimin e mbarë shoqërisë shqiptare.
Ne besojmë se sipërmarrjet shqiptare kanë nevojë për konsumatorë besnikë dhe ata mund t’i sigurojnë me anë të produkteve dhe shërbimeve cilësore. Qytetari shqiptar, përveç gëzimit të të drejtave civile dhe politike, ka të drejtat e tij si konsumator për produkte dhe shërbime cilësore dhe të sigurta, që pajtohen me nevojat dhe mundësitë e tij. Fushata promovuese “Blej Shqip”, duke respektuar këto të drejta do të përfshijë vetëm sipërmarrje dhe marka shqiptare që e plotësojnë kriteret e duhura.
Projekti Blej Shqip tashmë hyn në muajin e pestë të aktivitetit dhe ajo është një fushatë që i bashkohet nismave të tjera për ta bërë Shqipërinë një vend sa më të zhvilluar dhe të begatë për qytetarët e saj dhe për brezat e ardhshëm. Ne besojmë se shqiptarët do ta bëjnë Shqipërinë! Edhe duke konsumuar në mënyrë inteligjente produkte shqiptare të garantuara për cilësinë e tyre, ne mundemi ta ndihmojmë ekonominë shqiptare që të konkurrojë në mënyrë dinjitoze me ekonomitë e rajonit dhe të Bashkimit Evropian.
Në këtë veprimtari do të paraqiten mënyrat se si sipërmarrësit dhe qytetarët shqiptarë mund të bëhen pjesë aktive e kësaj nisme. Ju lutem që ta përcillni këtë veprimtari për publikun tuaj
Me respekt,
Gentian Sala
Foto nga aktiviteti:














