ill title Pertej pasojave te krizes

Shqipëria po rezulton se po kalon krizën ndërkombëtare globale me më pak pasoja. Ishte normale qe ritmet e rritjes ekonomike u ngadalësuan gjatë 2009-ës, për të zbritur në 3%, që është larg ritmeve të mëparshme të zgjerimit. Gjithsesi shifra është e kënaqshme nëse shihet në kontekstin e krizës ekonomike botërore dhe ndikimit të saj në vendin tonë, si edhe faktit që të gjitha vendet e tjera të rajonit kanë pasur rritje ekonomike negative gjatë vitit të kaluar. Niveli relativisht i ulët i eksporteve në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), sistemi bankar që ishte në një gjendje fare shumë të mirë para krizës dhe sidomos nxitësit e shumtë fiskalë të përdorur nga qeveria gjatë vitit të kaluar, ishin disa nga elementët që ndikuan në kahun pozitiv në ecurinë ekonomike gjatë 2009-ës. Siç e deklaroi përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë, rënia ka qenë e formës V dhe duket se fundi është arritur tashmë dhe pritet një rimëkëmbje, që gjithsesi edhe për një farë kohë nuk do të jetë e atyre ritmeve të larta që ishim mësuar të shihnim deri në 2008.
Pavarësisht pasojave relativisht më të lehta se vendet e tjera të rajonit, kjo krizë shërbeu për të nxjerrë në pah dobësitë strukturore të ekonomisë sonë: një varësi të lartë nga importet, pak eksporte me vlerë të shtuar, burime jo të qëndrueshme të hyrjes së valutës në Shqipëri (varësi nga të ardhurat e emigrantëve) dhe dalje jashtë të kapitalit në formë transferimi fitimi, të cilat bënë që edhe këtë vit defiçiti i llogarisë korente të përkeqësohej, pavarësisht se defiçiti tregtar për herë të parë nuk u thellua; një bujqësi që nuk arrin të ketë konkurruese, duke mos arritur të amortizojë çmimet e importit për disa produkte që fare mirë mund të prodhoheshin në vend; një biznes që ende nuk po arrin nivelet e produktivitetit që do të rrisin konkurrueshmërinë e tij në rajon e më gjerë.
Ndërkohë që disa elementë që nxitën rritjen ekonomike gjatë vitit të kaluar këtë vit nuk do jenë më. Banka e Shqipërisë dhe FNM e kanë bërë të qartë se ekonomia shqiptare nuk mund të mbështetet për shumë kohë në stimulin fiskal. Qeveria duket se ka reflektuar duke hartuar skenarë më konservatorë për buxhetin e vitit 2010 dhe një ngrirje të shpenzimeve, kryesisht atyre kapitale, ndërkohë që “flluska” e krijuar nga shpenzimet e mëdha për rrugën Durrës-Kukës duket se po shfryhet: të ardhurat tatimore për janarin për herë të parë ishin 5% më të ulta se një vit më parë (në një kohë që edhe gjatë 2009-ës ato ishin 2-5% më lart se viti i mëparshëm, ndonëse më pak se plani), dhe shpjegimi kryesor që japin tatimet është pikërisht efekti i munguar i Bechtel Enka. Tregu i sigurimeve u tkurr gjithashtu, kryesisht për të nëjtën arsye. Importet e çimentos dhe naftës përsëri e ndjejnë tkurrjen e aktivitetit të kompanisë, që vitin e kaluar i dha një hov të madh jo vetëm tregut të ndërtimit.
Tashmë është koha për më shumë reflektim dhe për të parë me vëmendje se cilat duhet të jenë burimet e rritjes ekonomike ku duhet të përqëndrohemi në të ardhmen. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë po artikulon gjithnjë e më shpesh nevojën për vazhdimin e reformës strukturore që do të mbështesë rritjen tonë ekonomike afatgjatë. Është e qartë se rritja ekonomike tashmë duhet të mbështetet më shumë në nxitjen e sektorit privat të ekonomisë. FMN dhe Banka e Shqipërisë bien dakord që në të ardhmen, ekonomia shqiptarë duhet të zgjerojë burimet e rritjes dhe të forcojë konkurrueshmërinë. Dhe kjo kërkon një angazhim të të gjithë aktorëve, përtej konflikteve politike, për të krijuar kushtet për një rritje të qëndrueshme në të ardhmen.