Renia e pritshme
Varësia nga importi dhe efekti i zhvlerësimit të lekut uli prodhimin ushqimor në vend. Rënia e fuqisë blerëse rriti kërkesën për produkte të lira, pak të përpunuara.
Nga Albana MUÇAJ
Prodhimi i agro-industrisë në vend provoi rënie prej 13% vitin e kaluar krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave statistikore të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, vlera e prodhimit agro-ushqimor zbriti në 34.7 miliardë lekë vitin e kaluar, duke u paraqitur për të dytin vit radhazi në rënie. Vlerësimet e prodhimit kanë marrë për bazë çmimet e 2006-ës, kur çmimet ishin shumë më të ulta se këto vitet e fundit. Ndaj, për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve për një pjesë të mirë prodhimesh, sipas ekspertëve të tregtisë, prodhimi i industrisë ushqimore është më i lartë në vlerat reale. Të dhënat zyrtare të prodhimit na shërbejnë për të parë luhatjen në sasi të prodhimit nga viti në vit, ndonëse ekspertët e tregtisë vlerësojnë se sasia e raportuar për shumë produkte ka gjasa të jetë më e ulët se prodhimi i realizuar.
DREJT PRODUKTEVE NATYRALE
Ndërsa në 2007-ën dhe në pjesën e parë të vitit 2008 u vërejt një rritje e theksuar e produkteve të konservuara, gjysmë të gatshme dhe e prodhimeve që kërkojnë më shumë angazhim në përpunim si proshuta e stazhionuar, vitin e kaluar të gjitha këto prodhime kanë tërhequr më pak vëmendjen e konsumatorit.
Agro-përpunuesit tregojnë se politikat e tyre të prodhimit nxiten nga kërkesat e konsumatorëve në treg dhe produktet me kosto të lartë prodhimi po kërkohen më pak krahasuar me dy vite më parë. Kjo konfirmohet edhe nga të dhënat zyrtare të përpunimit. Më shumë sesa produkte me bazë mishi, në treg është konsumuar prodhimi i mishit të freskët ose të ngrirë. Të dhënat e prodhimit flasin hapur për orientimin drejt produkteve më të lira, pasi sasia e mishit të ngrirë të gjedhit, që u hodh në treg vitin e kaluar, ishte 2.6 herë më shumë se një vit më parë. Në po këtë masë u rrit edhe konsumi i mishit të shpendit (të freskët), ndërsa ra dukshëm konsumi i mishit të gjedhit të freskët. Shfaqja e gripit AH1N1 solli ulje drastike të konsumit të mishit të derrit në vend. Ulje e prodhimit vërehet edhe për nënproduktet e qumështit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, vitin e kaluar u ul prodhimi i djathit të butë, ndërsa sasia e gjalpit dhe kosit të prodhuar ra 20%.
Te brumërat me vlerë të lartë, rënia më e theksuar e prodhimit ka prekur pastiçeritë dhe piceritë. Prodhimi në këtë sektor, sipas të dhënave të agro-industrisë, ka rënë 60% vitin e kaluar krahasuar me 2008-ën.
PRODHIMET E BRUMIT RUAJNË TË NJËJTËN PESHË
Brumërat vazhdojnë të zënë peshën më të madhe të prodhimit të industrisë ushqimore në vend. Vitin e kaluar, totali i vlerës së prodhimit të miellit dhe nënprodukteve të tij (bukë, pica, ëmbëlsira, etj.) përbënte rreth 45% të vlerës së prodhimit agro-ushqimor, duke ruajtur të njëjtën peshë me vitin 2008. Buka vazhdon të zërë peshën më të madhe në prodhim me rreth 15% të totalit. Krahasuar me një vit më parë, shqiptarët kanë konsumuar 12% më pak bukë, por rënia e prodhimit agro-industrial në tërësi bëri që pesha e këtij produkti të mbetet e lartë.
Nga të dhënat e agro-industrisë, prodhimi i bukës ka tendencë rënieje këto katër vitet e fundit. Për ekspertët e tregtisë, rënia është pasojë e rritjes së konsumit të prodhimeve të tjera të brumta. Nga të dhënat e agro-industrisë, sasia e makaronave të prodhuara vitin e kaluar u rrit me 45%, duke arritur në 1.84 miliardë lekë.
PIJET, 17% TË PRODHIMIT
Prodhimi i pijeve vitin e kaluar pësoi tkurrje të dukshme, kryesisht për shkak të uljes së prodhimit të pijeve freskuese dhe lëngjeve të frutave. Pesha e tyre në totalin e prodhimit agro-ushqimor ra me 8% krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, vlera e pijeve freskuese të prodhuara në vend përbën 7% të vlerës së prodhimit agro-industrial, nga 11% që shënonte një vit më parë. Deri në vitin 2008, prodhimi i pijeve kishte tendencë rritjeje.
INDUSTRITË QË PUNOJNË:
Tërësisht me lëndë të parë të importuar Fabrikat e pëpunimit të miellit Fabrikat e prodhimit të nënprodukteve të mishit Industria e prodhimit të lëngjeve të frutave |
Tërësisht prodhim vendas Industria e konservimit të perimeve Industria e përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve |
PËRMBYSET PRODHIMI I VAJIT TË ULLIRIT
Vaji i ullirit është një nga produktet që ka pësuar rënien më të madhe të prodhimit vitin e kaluar. Sipas të dhënave të agro-përpunimit në vend, vitin e kaluar u prodhuan vetëm 1600 ton vaj ulliri, ose mbi 70% më pak se një vit më parë. Shpresa Shkalla, prodhuese e vajit të ullirit në vend, tregon se industria e vajit varet tërësisht nga furnizimi i lëndës së parë. Sipas saj, për vitin e kaluar, pati pak prodhim të ullirit në vend. Në vitin 2008 u dyfishua prodhimi i ullirit, çka solli rritje prej 45% të sasisë së vajit të ullirit të prodhuar. Sipas ekspertëve të bujqësisë, luhatja e përvitshme e këtij prodhimi, është pasojë e mungesës së shërbimit të ullirit dhe prodhimit të tij në kushte natyrale. Sipas të dhënave të tregut, prodhimi i vajit të ullirit vendas shkon kryesisht për furnizimin e tregut të brendshëm dhe plotëson rreth 80% të kërkesës.
MË SHUMË UJË NATYRAL
Sasia e ujit të përpunuar dhe të hedhur në treg vitin e kaluar u rrit me 7% krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave të MBUMK-së, vlera e këtij prodhimi ishte 1.18 miliard lekë dhe ndikimin më të madh në rritje e dha prodhimi i ujit natyral (17% rritje). Ndërkohë, prodhimi i ujit të gazuar vazhdon të paraqitet në rënie.
Sipas administratorit të stabilizimit të ujit “Tepelena”, Luciano Cirillo, “prodhimi i këtij uji vitin e kaluar pësoi rritje prej 5%”. Por ai pranon se ka pasur rënie të prodhimit të ujit të gazuar, për shkak të rënies së konsumit të tij në treg. Në vendin tonë po vërehet e njëjta tendencë e tregjeve në tërësi: më shumë konsum të ujit natyral.
Zhvlerësimi i lekut, pengesë për lëndën e parë
Sipërmarrësit e agro-industrisë që punojnë me lëndë të parë të importuar tregojnë se një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në uljen e prodhimit, është kostoja e rritur e lëndës së parë të importuar. Për shkak të zhvlerësimit të lekut ndaj valutës së huaj, kryesisht euros, agro-përpunuesit vlerësojnë se kanë pësuar një rritje prej 10-12% të çmimit të lëndëve të para. Këtë rritje e ka vërejtur kryesisht industria e përpunimit të mishit dhe e prodhimit të pijeve, si lëngje frutash, birrë e pije alkoolike me ngjyrë. Ndikimi më i ndjeshëm ishte në sektorët, ku çmimet e lëndëve të para nuk pësuan ulje në tregjet e huaja. Sipas drejtuesëve të industries së sallamit, forcimi i dollarit ndaj lekut çoi në rritjen e çmimit të importit të mishit. Krahas kësaj, vjet u vërejt rritje e çmimit të mishit në tregjet nga ku importojmë, duke ndikuar në uljen e prodhimit të sallamit në vend. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi i sallamit ra me 8.5% vitin e kaluar, ndërsa u prodhua 35% më pak proshutë krahasuar me një vit më parë.
Në këtë periudhë vërehet edhe një rënie e theksuar e prodhimit të birrës. Të dhënat e prodhimit tregojnë se vjet u hodhën në treg 1.87 miliard lekë birrë (249 mijë hl), ose 25% më pak se një vit më parë.
Sipërmarrësi i birrës “Stela”, Stefan Pinguli, shprehet për “Monitor”, se vitin e kaluar, sasia e prodhuar nga kjo kompani ra me 8% krahasuar me një vit më parë. Ai tregon se rritjen e kostos së prodhimit, për efekt të zhvlerësimit të lekut, nuk e kaloi në çmimin e shitjes, duke ruajtur të njëjtin nivel çmimi shitjeje. Megjthatë, kjo peshë për kompaninë ka ndikuar në kufizimin e shpenzimeve në marketing duke bërë që kërkesa në treg të bjerë.
I njëjti fat ka ndjekur prodhimin e lëngjeve të frutave në vend, të cilat punojnë tërësisht me koncentrate të importuar. Me një vlerë prodhimi prej 552 milion lekësh, kjo industri pësoi një rënie prej 19% krahasuar me një vit më parë.
PAGESAT E VONUARA PENGOJNË PRODHIMIN
Mungesa e likuiditetit në treg nuk la pa prekur edhe sektorin e agro-përpunimit. Prodhuesit kryesorë në vend tregojnë se vazhdojnë të hasen me probleme të pagesave të klientëve, i cili është ndeshur kryesisht në industrinë e pijeve, prodhimit të bulmetrave dhe të brumërave. Altin Çela, drejtori i shitjeve pranë kompanisë së prodhimit të qumështit “Ferlat” shprehet se, krahas rritjes së konkurrueshmërisë në treg, kompania është përballur edhe me probleme në pagesa. Ndonëse ai tregon se prodhimi i kësaj kompanie u rrit me 4-5% vitin e kaluar, pagesat e vonuara kanë qenë pengesë për blerjen e qumështit për përpunim. Në disa prej industrive përpunuese, pagesat e vonuara kanë penguar deri diku edhe investimet.
Plane të kufizuara prodhimi
Sipërmarrësit e agro-industrisë në vend tregojnë se edhe në pjesën e parë të këtij viti kanë vazhduar të hasen me të njëjtat vështirësi të vitit të kaluar. Ndaj, pjesa më e madhe e tyre e shikojnë të vështirë mundësinë e rritjes së prodhimit.
Përpunuesit e industrisë së qumështit shprehen se në 2010-ën do të synojnë të ruajnë të njëjtat nivele prodhimi të një viti më parë. Të njëjtën sasi prodhimi pritet të kemi edhe në industrinë e pijeve freskuese e alkoolike. Sipërmarrësi i birrës “Stela” shprehet se këtë vit do t’i kushtojë më shumë rëndësi marketingut të shitjes, për të ruajtur pozicionin në treg.
Plane për rritje të prodhimit kanë bërë kompanitë që e shikojnë ende të pangopur tregun vendas, apo që synojnë eksporte.
Prodhuesit e ujit “Tepelena” shprehen se konsumi i ujit për frymë në vend është ende i ulët krahasur me normën mesatare të konsumit në Europë. Ndaj. Me një investim prej 1.5 milion eurosh të planifikuara për impiantin e përpunimit dhe laboratorët, ata parashikojnë rritjen e peshës në tregun e brendshëm dhe të eksporteve në shtetet fqinje. Rritje e prodhimit pritet edhe në konservat e produkteve, kryesisht atë të peshkut. Industria e konservave të peshkut vitin e kaluar rriti prodhimin me më shumë se 50%. Për këtë vit, sipërmarrësit e këtij sektori shprehen se planifikojnë të rrisin 60-70% prodhimin, pasi kërkesa konsumatore ne tregjet e Europës Perëndimore ka filluar të rritet.








