Nevoja e integrimit ekonomik shqiptar
nga Gentian Kapllani, jurist i specializuar per tregjet financiare prane SOCIETE GENERALE, Londer.
Ka disa data që shërbejnë si momente reflektimi për kahun dhe ritmin e zhvillimeve politike, ekonomike dhe shoqërore të shqiptarëve. E tillë është data 17 shkurt e cila shënon përvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Clirimi i Kosovës dhe më pas pavarësia e saj i gëzoi të gjithë shqiptarët anembanë. Këto janë momente të rëndësishme që simbolizojnë lirinë për tu vetëorganizuar me qëllim rritjen e mirëqënies tonë të përbashkët. Mirëpo, liria e papërdorur është më e keqe sesa liria e munguar. E papërdorur ngelet liria jonë në fushën e integrimit ekonomik shqiptar.
Ajo që duhet të kuptohet me integrim ekonomik shqiptar është zhvillimi i marrëdhënieve midis dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, sikurse zhvillimi i marrëdhënieve me shqiptarët në vendet fqinj. Edhe pse nuk do të trajtojmë në këtë shkrim marrëdhëniet me vendet ku shqiptarët janë pakicë ose etni shtetformuese si në rastin e ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, është rasti të theksojmë se një bosht i fortë shqiptar midis Tiranës dhe Prishtinës do të ishte shume pozitiv edhe për pozitën ekonomike të shqiptarëve që jetojnë në vendet e tjera.
Kur e kemi bërë një shkrim një vit më parë me rastin e përvjetorit te pavarësisë së Kosovës nuk e kemi menduar se marrëdhëniet midis shqiptarëve do të ngeleshin në nivel kaq të ulët edhe pas një viti. Duket se qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës i karakterizon një paaftësi për të pasur dhe për të ndërtuar politika vizionare. Veprimtaria e tyre duket se synon më shumë nje përforcim të sundimit të tyre në territoret përkatëse sesa një punë të vazhdueshme për të zhvilluar marrëdhëniet e gjithanëshme midis shqiptarëve. Kjo ndjesi përforcohet nga fakti se veprimet e tyre janë të karakterit deklarativ dhe jo institucional. Si pasojë, marrëdhëniet midis Tiranës dhe Prishtinës ngelen peng i tekave të pushtetarëve të momentit në kohën kur kërkohet një institucionalizim i këtyre marrëdhënieve.
Sot nuk po shohim asnjë shenjë të integrimit ekonomik midis dy shteteve. Kemi propozuar që integrimi ekonomik shqiptar të kalonte pikë së pari nga integrimi infrastrukturor në fushat e transporteve, energjetike, të teknologjive të reja dhe financiare por vërejmë me keqardhje se në asnjë fushë nuk ka zhvillime të ndjeshme përvec infrastrukturës së transporteve që ngelet gjithsesi problematike. Kemi propozuar gjithashtu heqjen e tarifave doganore midis dy shteteve dhe hapjen reciproke të tregut të punës. Ne i shohim këto si parakushte të lëvizjes së lirë të njerëzve, të shërbimeve dhe të kapitalit. Këto të fundit janë parimet bazë të integrimit europian dhe nuk është normale që ne të kërkojmë të zbatojmë këto parime me shtetet që përbëjnë Bashkimin Europian kur nuk kemi mundësi ti zbatojmë midis njëri-tjetrit. Gjithashtu, nuk është normale që të kërkojmë të jemi pjesë e tregut të përbashkët europian në momentin kur nuk kemi një treg të përbashkët shqiptar.
Rruga Durrës-Prishtinë duhej të ishte boshti kryesor i një transporti rrugor të integruar ndërshqiptar por u bë tregues i mungesës së transparencës në tenderim si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Ajo u përdor për qëllime elektorale në Shqipëri cka solli si pasojë një rrugë të papërfunduar dhe jofunksionale. Përvec problemeve të mësipërme, kjo mënyrë të punuari e ka ulur ndjeshëm besueshmërinë e Shqipërisë në ndërtimin e veprave të tilla. Edhe propozimi nga ana e qeverisë së Shqipërisë i përdorimit të portit të Shëngjinit nga Kosova ngeli në letër. Asnjë përcapje nuk është bërë për të institucionalizuar këtë deklaratë qoftë në administrimin e portit të Shëngjinit qoftë për mënyrën sesi do të zhdoganohen mallrat që do të kalojnë aty.
Krijimi i një rrjeti te përbashkët energjetik ka ngelur edhe ai në nivel deklarativ. E vetmja mënyrë bashkëpunimi që ekziston midis KESH dhe KEK është shkëmbimi reciprok i energjisë. Në fakt, vëmendja e qeverive përkatëse duhet të përqëndrohet në investimet dypalëshe qoftë në shfrytëzimin e linjitit ne Kosovë qoftë në përmirësimin e funksionimit të hidrocentraleve në Shqipëri duke e parë hapësiren shqiptare si një treg të integruar energjetik. Diversifikimi i energjisë me anë të zhvillimit të burimeve alternative të energjisë duhet parë në nivelin e këtij tregu të integruar energjetik. Duke u parë nevojat për energji të Shqipërisë dhe të Kosovës bashkarisht, i lejojmë vetes të bëjmë investime më eficiente dhe më frytdhënëse.
Ne fushën e teknologjive të reja situata mbetet e nderë në të dy vendet. Parcelizimi i tregut shqiptar, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, ka bërë që operatorët e ndryshëm të internetit, të telefonisë fikse ose të asaj të lëvizshme të mbajnë tarifa ndër më të lartat në Europë. Nuk kuptohet pse Kosova është ende e detyruar të paguaj tarifa të caktuara për përdorimin e prefikseve ndërkombëtare të Monakos dhe të Sllovenisë kur mund të përdorte prefiksin ndërkombëtar të Shqipërisë. Nuk kuptohet pse operatori i katërt i telefonisë së lëvizshme në Shqipëri, si i pari investim ambicioz shqiptar në këtë fushë, nuk ka filluar punë. Nuk po shohim një vullnet politik të qeverive të Tiranës dhe Prishtinës në kohën kur ai është më i nevojshëm se kurrë.
Një tjetër problem që e pengon integrimin ekonomik midis Shqipërisë dhe Kosovës është mungesa e një infrastrukture të përbashkët financiare e shprehur në një bursë të përbashkët dhe në një harmonizim ligjor dhe fiskal të operatorëve financiarë sic mund të jenë bankat ose kompanitë e sigurimeve. Në momentin kur nuk mund të krijojmë dy bursa të ndryshme, njërën në Tiranë dhe tjetrën në Prishtinë, krijimi i kësaj burse të përbashkët bëhet ende më i nevojshëm. Suksesi i menjëhershëm i saj nuk është i garantuar por hapësira shqiptare duhet të shpejtojë të bëhet pjesë e zhvillimeve ekonomike botërore pasi zhvillimi ynë ekonomik nuk mund të realizohet me mënyrat primitive të të bërit tregti. Krijimi i kësaj burse të përbashkët është një parakusht i zhvillimit të një kulture të përbashkët financiare në hapësirën shqiptare dhe një instrument i rëndësishëm i zhvillimit të tregut financiar në përgjithësi. Ngritja e një grupi pune mbi këtë cështje është tashmë urgjente.
Po të marrim parasysh nivelin e shkëmbimeve ekonomike midis Shqipërisë dhe Kosovës, heqja e tarifave doganore do të ishte fillimisht më shumë një hap simbolik sesa një revolucion ekonomik. Kjo nuk do të prekte në mënyrë te ndjeshme parashikimet buxhetore të të dy vendeve. Heqja e tarifave doganore e kombinuar me rifunksionimin e rrugës Durrës-Kukës do të rriste ndjeshëm shkëmbimet tregtare midis dy vendeve dhe do të ishte një hap i madh drejt daljes nga apatia ekonomike që i karakterizon Shqipërinë dhe Kosovën. Kjo do të jetë gjithashtu një mundësi për të reflektuar mbi mënyrat alternative të mbledhjes së të ardhurave të buxhetit pasi tarifat doganore kanë një zë më të rëndësishëm se c’duhet ne buxhetin e te dy shteteve.
Përsa i përket tregut të punës, ai është i mbytur nga puna e zezë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Hapja reciproke e tregut të punës nuk do ti shtojë problemet e shumta qe ekzistojnë tashmë në të dy vendet. Përkundrazi, përvecse do të ndihmonte në qarkullimin e lirë të shqiptarëve, ajo do të shërbente edhe si një nxitës për të dyja qeveritë për të rritur mënyrat e kontrollit të deklarimit të punëtorëve. Ne kemi të gjitha arsyet të besojmë se kjo do të gjallërojë tregun e punës në Shqipëri dhe në Kosovë dhe do të uli nivelin e papunësisë i cili është shumë i lartë në të dy vendet.








