Tryezë me prodhuesit e Kosovës

Sot nën organizimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! u mbajtë tryeza me temën “Ndikimi i politikës në prodhimin vendor”, ku morën pjesë prodhues nga Kosova të sektorëve të ndryshme të prodhimit. Qëllimi i kësaj tryeze ishte që të nxjerren në pah dhe të debatohen vështirësitë me të cilat ballafaqohen prodhuesit e vendit, vështirësi këto që shkaktohen nga vendimet politiko-ekonomike e të cilat rezultojnë në veprime, mirëpo shpesh edhe në mosveprime, të institucioneve të Kosovës e që kanë ndikim negativ në prodhimin vendor dhe ekonominë vendore në përgjithësi. Rrjedhimisht, kjo ishte tryezë e prodhuesve të vendit dhe shërbeu si hapësirë që prodhuesit të flasin për atë se çfarë kanë nevojë të bëjë shteti në mënyrë që të mund ta rrisin prodhimin, shitjen, kapacitetin dhe cilësinë, për ta rritur kështu ekonominë, punësimin dhe mirëqenien për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Hapjen e tryezës e bëri Visar Ymeri, aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i cili u përqendrua më shumë në rëndësinë që prodhimi ka në zhvillimin ekonomik të secilit vend. Visari tha se në Kosovë prej vitit 1999 në politikë dhe veçanërisht në ekonomi, është aplikuar një qasje e kundërt prej asaj që historikisht kanë zbatuar shtetet në ndërtim. Kjo është politika e mosndërhyrjes. Qeveritë e Kosovës ia kanë lënë zhvillimin fatit, duke folur përherë për mrekullinë që do të na vie nga jashtë, në formë donacioni a kredie, dhe njëkohësisht duke mos e shfrytëzuar kurrë sa e si duhet potencialin zhvillimor të vendit. “Pa prodhim nuk mund të ketë ekonomi të zhvilluar e as rritje të mirëqenies. Për shkak se prodhimi është elementi nxitës i qarkullimit ekonomik, dhe i cili është parakusht i shpërndarjes, tregtisë, dhe konsumit.” përfundoi Visari.

Pastaj fjalën e mori Abdullah Bajra, prodhuesi i ujit Kika nga Dardana, i cili tha se në Anamoravë strukturat paralele të Serbisë i kanë hapur doganat e Serbisë dhe ua mundësojnë shqiptarëve të eksportojnë prodhimet e veta atje me kusht që këta të fundit t’i njohin dhe bashkëpunojnë me këto struktura ilegale. Ai gjithashtu deklaroi se produktet e Serbisë po e ngulfasin prodhimin e vendit, dhe u bëri thirrje të gjithë importuesve të produkteve të Serbisë ta ndërpresin një gjë të tillë pasi që ky import krijon vende të reja të punës në Serbi, dhe i mbyll ato në Kosovë.

Pas z. Bajra, fjalën e mori z. Skender Bajrami nga ndërmarrja Niki-S nga Gjakova. Z. Bajrami u përqendrua më shumë në padrejtësitë qw u bwhne prodhuesve tw vendit dhe pabarazinë që buron nga sistemi fiskal i Kosovës. Z. Bajrami tha se prodhuesit e vendit obligohen të paguajnë edhe taksë doganore e edhe TVSh, ndërkohë që produktet e Serbisë hyjnë në Kosovë pa taksë doganore, dhe lirohen nga TVSh-ja në Serbi pasi që Serbia i konsideron ato si eksport. Z. Bajrami po ashtu e potencoi si vështirësi kreditimin shumë të shtrenjtë të ekonomisë, gjë që po ua pamundëson prodhuesve rritjen e potencialit dhe investimeve.

Hysni Guraziu nga Herbpharm deklaroi se Qeveria e Kosovës dhe agjencitë përcjellëse bëjnë zbatimin e ligjit në mënyrë selektive dhe përdorin standarde të dyfishta. Ai deklaroi se në prodhimtarinë e çajrave lejohet importimi i produktit final pa kurrfarë kriteri ndërkohë që ndalohet importimi i lëndës së parë nën pretekstin se kjo lëndë e parë është produkt medicinal dhe rrjedhimisht mund të importohet vetëm me liçencë të veçantë. Tregtarët e mëdhenjë, vazhdoi z. Guraziu, janë bërë të mëdhenjë duke shërbyer si përfaqësues të firmave të Serbisë, gjë që u ka sjellur atyre përfitime të mëdha financiare. Këta edhe e dëmtojnë prodhimin vendor duke i dhënë shumë më shumë hapësirë të dukshme produkteve të cilat vijnë nga Serbia.

Pas z. Guraziu, fjalën e mori z. Ilir Piraj nga ndërmarrja Meka nga Sharri. Z. Piraj foli për mungesën e infrastrukturës adekuate që do ta mbështeste zhvillimin e prodhimit vendas, veçanërisht mungesën e rrymës dhe tensionit të mjaftueshëm të saj për makineritë prodhuese. Z. Piraj deklaroi se prodhuesit e vendit, duke qenë të rinjë në këto lloje afarizmi, kanë teknologjinë më moderne, dhe prodhojnë mallra të shëndetshme dhe cilësore.

Në fund të pjesës së parë të tryezës foli z. Bedri Kosumi, nga ndërmarrja Pestova, i cili deklaroi se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës është rritur importi nga Serbia. Sipas tij, në sektorin e prodhimtarisë së patates Kosova kishte arritur që gjatë vitit 2005 dhe 2006 jo vetëm të përmbushë nevojat e veta, por edhe të eksportojë mijëra tonë patate. Ndërkohë që pas shpalljes së pavarësisë, embargoja e Serbisë e kishte pamundësuar eksportin, si dhe e kishte rritur importin nga Serbia. Z. Kosumi deklaroi se gjëja më e vogël që duhet ta bëjnë institucionet e Kosovës në këtë drejtim është zbatimi i masave të reciprocitetit, pra të bllokohen mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja.

Kjo tryezë njëzëri thirri për ndryshim politikash ekonomike të vendit, në mënyrë që statusi preferencial t’u jipet prodhuesve e jo tregtarëve. Për shkak se është prodhimi ai që e zvogëlon papunësinë dhe e rrit mirëqenien e qytetarëve. Tregtia pa prodhim përfundon në tregtim të mallrave të tjetërkujt, pra në konsum të produkteve të jashtme dhe varësi nga to. Tryeza po ashtu tregoi se si prodhuesit e vendit janë të shkelur nga politikat qeveritare të vendit, dhe janë në pozitë shumë të pafavorshme krahasuar me tregtarët e vendit, të cilët kanë përfituar dhe përfitojnë nga përkëdhelja politike e institucioneve të Kosovës. Tryeza kërkoi që të zhvillohet prodhimi, e jo vetëm tregu.

Konkluzat e përbashkëta nga kjo tryezë ishin këto:

  • Qeveria duhet të ndërhyjë në mbrojtjen e prodhuesit të vendit, dhe sigurimin e tregut për këta prodhues.
  • Qeveria duhet të ndërmerr masa për subvencionimin e aspekteve të caktuara prodhuese të Kosovës, dhe në uljen e gjithmbarshme të çmimit të kredive në vend.
  • Domosdo të zbatohet reciprociteti me Serbinë dhe Bosnjen për sa i përket embargos së tyre.
  • Duhet të funksionohet Bordi i Ankesave i cili do t’i mbronte prodhuesit nga çfarëdo shkelje arbitrare të të drejtave të tyre nga politika.
  • Prodhuesit e vendit duhet të ndihmohen në furnizimin me energji elektrike dhe të kenë lehtësira në çmimin e energjisë.
  • Të zbatohet TVSh-ja e përshkallëzuar që i dallon produktet ushqimore të domosdoshme nga produktet tjera.
  • Të hiqet taksa doganore për lëndën e parë dhe për teknologjinë prodhuese.

 

 

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Prishtinë, 7 janar 2009